Sofja e Shkupi në kërkim të “paqes”!

Në takimin e djeshëm me kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, biseduam për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella dhe kthimin e tyre në nivelin e vitit 2017 kur u nënshkrua Marrëveshja e fqinjësisë së mirë, deklaroi kryeministri bullgar Dimitar Gllavçev para fillimit të vazhdimit të Samitit të NATO-s në Uashington

Xhenur ISENI

Bruksel, 11 korrik – Në Uashington vazhdoi takimi i shefave të shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të NATO-s ku merr pjesë edhe delegacioni i Maqedonisë i kryesuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Në ditën e tretë të Samitit të NATO-s në Uashington, liderët e Aleancës do të kenë takime me homologët e tyre nga vendet partnere të rajonit aziatiko-paqësor – Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut, si dhe me përfaqësues të lartë të Bashkimi Evropian. Samiti do të përfundojë me takimin e Këshillit NATO-Ukrainë në nivel të shefave të shteteve apo qeverive i cili pritet të riafirmojë mbështetjen e Aleancës për Kievin aq sa do të jetë e nevojshme.

Dje në pjesën punuese të Samitit, kryeministri Mickoski deklaroi se për ne është e rëndësishme që në këtë takim të merren vendime që do të formësojnë të ardhmen e njerëzimit në dekadat e ardhshme në të cilat vendi do të japë kontributin e vet. “Si vend jemi gati të japim kontributin tonë në gjithçka që paraqet vlerë. Ne jemi këtu së bashku me aleatët tanë për të konfirmuar përkushtimin tonë, si më parë ashtu edhe në të ardhmen, se do të promovojmë paqen, stabilitetin dhe sundimin e së drejtës ndërkombëtare”, theksoi Mickoski.

Kryeministri theksoi se “Qeveria e Maqedonisë dëshiron që ne të jemi krah për krah me aleatët tanë dhe të konfirmojmë shpirtin liridashës të popullit dhe qytetarëve të RMV-së”. “Mbetemi të përkushtuar në përmbushjen e detyrimeve tona, gjegjësisht të paktën dy për qind të BPV-së të investohen në modernizimin e Armatës sonë, diçka që është shumë e rëndësishme, sepse vetëm kështu do të ndjekim hapat modernë dhe do të ndjekim aleancën më të madhe botërore të mbrojtjes që ka ekzistuar ndonjëherë”, shtoi Mickoski.

Në samitin e djeshëm të Këshillit Veriatlantik, liderët diskutuan miratimin e një “pakoje të rëndësishme me pesë elementë” për të mbështetur Ukrainën e cila përfshin krijimin e një komande të NATO-s në Ukrainë e cila do të sigurojë ndihmë dhe trajnim për sigurinë, pastaj një premtim për të vazhduar dhe mbajtur mbështetjen afatgjatë për vendin dhe ofrimin e mbështetjes ushtarake urgjente e cila do të përfshijë sisteme të mbrojtjes ajrore dhe marrëveshje të reja dypalëshe të sigurisë midis aleatëve dhe Kievit, duke siguruar ndërveprim të plotë midis forcave të Ukrainës dhe Aleancës dhe hapjen e një Qendre të re të aviacionit dhe trajnimit në Poloni. “Të gjithë së bashku, këto pesë elemente përfaqësojnë një urë të fortë për Ukrainën drejt anëtarësimit në Aleancën. Edhe unë jam i bindur se aleatët pastaj do të përsërisin angazhimin e tyre që Ukraina të bëhet anëtare e NATO-s”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Vendet anëtare të NATO-s duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre prodhuese në industrinë e mbrojtjes për të qenë në hap me prodhimin rus të armëve dhe municioneve, porositi madje presidenti amerikan Xho Bajden në fjalimin e tij hyrës në takimin e Këshillit Veriatlnantik në kuadër të Samitit të Aleancës në Uashington. “Rusia ndjeshëm e rrit prodhimin e armëve, municioneve dhe automjeteve me ndihmën e Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit, nuk mund të lejojmë që Aleanca të mbetet prapa”, tha Bajdeni.

Ai shprehu kënaqësi që anëtaret e NATO-s po punojnë në zgjerimin e bazës dhe kapaciteteve të tyre industriale dhe se janë të përkushtuar për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes, të cilat ai e quajti një “hap kritik për ruajtjen e sigurisë”. “Do të jemi në gjendje të prodhojmë më shpejt pajisje më kritike të mbrojtjes. Dhe ndoshta do të na duhet”, tha Bajdeni, duke shtuar se premtimi i ri për të rritur prodhimin e mbrojtjes është një mesazh për botën se “çdo anëtare e NATO-s është e përkushtuar ta përmbushë pjesën e saj për ta mbajtur Aleancën të fortë”. Sipas tij, liderët e NATO-s do të kujdesen që Aleanca të jetë gjithmonë e gatshme “për çdo kërcënim me të cilin do të përballet”.

Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski në margjinat e NATO-s ka realizuar një bisedë me kryeministren e Italisë, Xhorxha Meloni. “Biseduam për thellimin e bashkëpunimit, kërkova mbështetje nga Italia për realizimin e interesit strategjik për hyrjen e shtetit në Bashkimin Evropian. Bisedova edhe mundësinë e rritjes së shkëmbimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve. Duhet të luftojmë për pozitat dhe interesat shtetërore në çdo hap”, ka shkruar Mickoski.

Në takimin e djeshëm me kryeministrin e Maqedonisë, Hristijan Mickoski, biseduam për nevojën e normalizimit të marrëdhënieve të ndërsjella dhe kthimin e tyre në nivelin e vitit 2017 kur u nënshkrua Marrëveshja e fqinjësisë së mirë, deklaroi kryeministri bullgar Dimitar Glavçev para fillimit të vazhdimit të Samitit të NATO-s në Uashington. “Të dytë ishim në atë mendim, do të shohim çfarë do të ndodhë. Nuk ka asgjë më të mirë se marrëdhëniet e bukura dhe të mira mes fqinjëve. Mund edhe të thuhet se ne jemi edhe më shumë se fqinjë me Republikën e Maqedonisë së Veriut”, shtoi Glavçev.

Kryeministri bullgar theksoi se duhet të ulen tensionet në marrëdhëniet e ndërsjella, para se gjithash në deklaratat, sepse mes qytetarëve dhe popujve të të dyja vendeve fqinje nuk ka tensione, ndërsa politikanët nëse nuk ndihmojnë të zhvillohen ato marrëdhënie, nuk duhet as t’i pengojnë. Sipas tij, kur bashkëpunimi është në nivel të kënaqshëm, lidhja duhet të fillojë të zhvillohet në të gjitha aspektet, si në transport, në ekonomi… (koha.mk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *