
Gjatë prezantimit të filmit të saj më të ri, Bugonia, në Festivalin e Filmit në Venecia, aktorja e njohur Emma Stone ka deklaruar se beson në jetën jashtëtokësore. Në një konferencë për shtyp, fituesja e çmimit Oscar u shpreh:
“Është mjaft narciziste të mendosh se njerëzit janë të vetmit në univers”.
36-vjeçarja nuk ngurroi të ndante bindjen e saj, duke thënë troç:“Po, e them hapur: unë besoj në alienët”. Madje, me humor iu drejtua gazetarëve: “Si jeni kaq të sigurt që unë nuk jam një jashtëtokësore?”.
Stone shtoi se besimi i saj lidhet edhe me një dimension më të thellë filozofik, të cilin preferoi të mos e zgjaste gjatë konferencës. Ajo foli edhe për sfidat që sjell perceptimi publik dhe ndjenja e largimit nga vetvetja:
“Të gjithë po përballemi me këtë sot, qoftë nga rrjetet sociale apo mënyra se si na sheh bota nga jashtë”.
Duke reflektuar mbi këtë fenomen, aktorja shtoi: “Të gjithë e kemi ndjerë kur dikush mendon se të njeh, ndërsa ti nuk ke pothuajse asnjë kontroll mbi këtë version tëndin ose siç e quaj unë, ‘avatarin tim publik’”. Për të ruajtur balancën, Stone tha se ndan jetën publike nga ajo personale:
“Ekziston personi që shfaqet në publik dhe ai që jam me miqtë dhe familjen. Janë në thelb e njëjta gjë, por kjo është mënyra ime për të qëndruar me këmbë në tokë”.
Filmi Bugonia, me regji nga Yorgos Lanthimos, sjell historinë e dy burrave të fiksuar pas teorive konspirative, të cilët rrëmbejnë një drejtuese të pasur kompanie, të interpretuar nga Stone, duke besuar se ajo është një alien që kërkon të shkatërrojë Tokën. Filmi bazohet në komedinë koreano-jugore Save the Green Planet! (2003).
Interesimi për projektin nisi që në janar, kur Stone u shfaq në ndarjen e çmimeve Golden Globes me një prerje flokësh pixie. Më vonë u konfirmua se, për një skenë të filmit, aktorja rroi kokën në kohë reale gjatë xhirimeve. Për revistën Vogue, ajo e përshkroi këtë përvojë si “shumë të veçantë dhe të bukur”.









