Kovaçevski: Taravari nuk është kyç për të ardhmen e shtetit

Fronti evropian për të cilin angazhohemi ekziston dhe kjo shihet në vepër. Nuk mundemi integrimin evropian të shtetit ta kufizojmë në atë nëse zotëri Arben Taravari ka kaluar nga pozita në opozitë. Unë nuk mendoj se Taravari është aq i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit, deklaroi kryetari i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski.

Ai në konferencën e sotme për media me kryetarin e Partisë Socialdemokrate të Gjermanisë, Lars Klingbeil, i pyetur nëse ende ekziston fronti evropian për të cilin angazhohet pas shkarkimit të ministrave të Shëndetësisë dhe të Shoqërisë Informatike, u përgjigj se ekziston, duke theksuar se kanë shumicë në Parlament, e cila angazhohet për integrimin evropian të shtetit.

“Absolutisht se ekziston dhe ju e shihni atë në vepër. Ne kemi shumicë në Parlament që mbron integrimin evropian të vendit. Në vendin tonë ka parti politike që janë pro integrimit evropian të vendit. Nuk mund ta kufizojmë integrimin evropian të shtetit në atë se a kaloi zotëri Taravari nga pushteti në opozitë. Nuk konsideroj që Taravari është kaq i rëndësishëm për të ardhmen e shtetit. Megjithatë bëhet fjalë për një politikan nga Gostivari që është mjek i suksesshëm, i cili bën llogaritë e tij politike”, tha Kovaçevski.

Por, theksoi, e ardhmja e shtetit nuk mund të varet nga një njeri ose nga ndonjë parti politike, ky është megjithatë proces shoqëror.

“Mos harroni se LSDM është partia më e madhe. LSDM është në koalicion me liberalët, me të gjelbrit dhe me një numër të madh të partive të tjera politike të cilat kanë koncept ideologjik. Ato janë parti të cilat siguruan anëtarësim në NATO, siguruan fillimin e bisedimeve me BE-në. Ato janë parti politike të cilat do të sigurojnë anëtarësim të plotë të Maqedonisë së Veriut në BE”, shtoi Kovaçevski.

Sipas Kovaçevskit, pa LSDM-në nuk ka Maqedoni evropiane. Ai potencoi se LSDM do të jetë gjithnjë këtu për përmirësim të standardit jetësor për integrimin e shtetit. “Mendoj se zotëri Taravari nuk është kyç për të ardhmen e shtetit”, shtoi Kovaçevski.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *