“Kërmov ta paguaj dëmin”, Xhaferi kërkon që të hapet procedurë për incidentin në Kuvend


Pas incidentit të djeshëm që shkaktuan deputetët e Levicës, Borisllav Kërmov dhe Dimitar Apasiev, në sallën parlamentare, ku thyen kompjuterin e parlamentit dhe një pjesë të inventarit nga tavolina e kryeparlamentarit, të zgjedhurit e popullit seancën e sotme e vazhduan në sallën e madhe nën kupolë.

Nga shërbimet parlamentare, thonë se pas përfundimit të seancës së djeshme, MPB ka kryer kontroll dhe për momentin po kryhet vlerësimi nga ana e komisionit parlamentarë, kompanisë së sigurimit dhe Byrosë për ekspertizë ligjore, pas çka do të dihet saktë sa është dëmi i shkaktuar nga incidenti i djeshëm.

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, thotë se Kërmov duhet të përndiqet penalisht për shkak se imuniteti i deputetit nuk vlen jashtë foltores parlamentare.

“Procedurën duhet ta udhëheq Prokuroria në bazë të denoncimit në polici ose sipas informacioneve që qarkullojnë në opinion dhe sipas asaj që shihet se ka ndodhur në seancë, prej ku ka transmetim të drejtpërdrejtë”, thuhet në reagimin e Xhaferit.

Sipas Xhaferit, pas kryerjes së vlerësimit, Kërmov do të duhet ta paguaj dëmin.

“Në lidhje me atë se çfarë dëm material është bërë, do të njoftohet në mënyrë shtese, por dëmshpërblimin do ta paguajë deputeti Borisllav Kërmov nga Levica i cili e theu monitorin dhe inventar tjetër në tryezën e kryesuesit në sallën plenare. Nëse dikush prej të punësuarve shkakton dëm në vendin e punës, ai vetë i paguan shpenzimet. Kështu do të jetë edhe në këtë rast”, theksohet në reagimin e Xhaferit.

Kërmov, të cilit më pas iu bashkua Dimitar Apasiev, amendamentet ia hodhi drejtpërdrejt nënkryetarit të Kuvendit, Goran Misovski, i cili në atë moment e udhëhiqte seancën. Ne e pyetëm Misovskin nëse do të iniconte procedurë për një sulm të tillë ndaj tij, por ai tha se për momentin mbetet i reagimit të dënimit për sjellje të papranueshme. Këtë incident e përdorën edhe LSDM-ja dhe VMRO-ja për të akuzuar njëra-tjetrën. Opozitarja VMRO-DPMNE ka reaguar menjëherë se incidenti është marrëveshje mes LSDM-së dhe BDI-së, ndërsa LSDM-ja komentoi se Levica dhe VMRO-DPMNE janë partnerë që krijojnë kaos në Kuvend.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *