Historia e fotografes që mësoi të jetojë me kancer

Veronica Lukasova po e bën libër të hapur për të gjithë përvojën e saj me kancerin. Ajo do ta publikojë historinë e rrugëtimit të saj me mbështetjen e një fondacioni që po e ndihmon atë. Veronika Lukasova është fotografe, pedagoge dhe artiste. Ajo po punon në një libër ku tregon për zbulimin dhe të jetuarit me kancer, i cili nuk ka shërim.

Me origjinë nga Republika Çeke, ajo u takua me bashkëshortin e saj anglez, kur ata punonin në Universitetin Stanford në Kaliforni. Në shkurt të vitit 2021, Lukasova kishte probleme me stomakun, ajo ishte paralajmëruar më parë për ndryshimet parakancerogjene në barkun e saj, kështu që ajo ishte e kujdesshme dhe kërkoi këshilla nga mjeku i përgjithshëm.

Analizat e gjakut treguan praninë e një tumori. Katër muaj pas vizitës së parë te mjeku i përgjithshëm, ajo u diagnostikua me një kancer të rrallë të quajtur “pseudomyxoma peritonei”, i njohur zakonisht si PMP. Ai rritet ngadalë dhe shkakton një grumbullim të një substance të quajtur mucin në bark dhe legen.

Shpesh fillon në apendiksin por mund të fillojë edhe në organe të tjera si zorra e trashë dhe vezoret. Në gusht të vitit 2021, Lukasova u përball me një operacion të madh për të hequr shtatë organe të brendshme. Pavarësisht gjendjes së saj kërcënuese për jetën, ajo kishte mbështetje të kufizuar pasi ishte në valën e dytë të bllokimit nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar.

“Lajmi ishte kafshatë e vështirë për t’u kapërdirë, sepse ndjehesha vërtetë e shëndetshme. Pas ushtrimeve, barku disi më rrinte pak i fryrë, por përndryshe gjithçka më dukej në rregull. Operacioni ishte gjëja më e vështirë, ngaqë marrin shumë organe. Për sëmundjen time është dashur të bisedoj edhe me tim bir. Ishte edhe më i vështirë fakti se nuk mundën të më vizitonin në spital”. Ajo përjetoi komplikime pas operacionit, mpiksje gjaku në mushkëri dhe një infeksion bakterial që do të thoshte se kishte nevojë për transfuzion gjaku.

Sipas mjekëve të kancerit, për shkak se PMP rritet kaq ngadalë, shumë njerëz nuk janë të vetëdijshëm për të për vite me radhë. Në shtator të vitit të kaluar, Lukasovas iu tha se kanceri i saj po përsëritej dhe ishte i pashërueshëm. Libri i saj është një histori e ilustruar e viteve të fundit të jetës së Lukasovas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *