Zgjedhjet në Serbi, partia e Vuçiçit shpall fitoren gati në të gjitha qytetet

Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet në Serbi duket se është drejt fitores në zgjedhjet e përsëritura në Beograd, si dhe në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në qytete të tjera. Zgjedhjet në Beograd u përsëritën sepse s’kishte fitues të qartë në ato të dhjetorit.

Por opozita është ankuar për parregullsi në zgjedhjet lokale të 2 qershorit në Serbi, duke bërë që mjedisi politik të vazhdojë të jetë i tensionuar në vend.

Bazuar në 51 për qind të votave të numëruara në Beograd, organizata joqeveritare në Serbi, CeSid parashikoi se SNS-ja, e cila mbështetet nga presidenti serb Aleksandar Vuçiç, është duke udhëhequr me 53 për qind, ndërsa partia e qendrës së djathtë, Lëvizja për Ndryshim e Savo Manojlloviçit, është e dyta me 17.2 për qind.

“Kjo është… një fitore e jashtëzakonshme”, tha Vuçiç në një konferencë për media, duke shtuar se partia e tij do ta ketë shumicën në Asamblenë e Qytetit të Beogradit, e cila ka 110 ulëse, si dhe në Novi Sad.

Megjithatë, Manojlloviç tha se koalicioni i tij nuk do t’i njohë rezultatet e zgjedhjeve.

“Këto janë zgjedhjet më të parregullta ndonjëherë”, tha ai mbrëmjen e 2 qershorit.

Dalja në zgjedhje ishte më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Beograd, pasi disa parti opozitare vendosën të mos marrin pjesë, duke pretenduar se nuk kishte kushte për zgjedhje të drejta dhe demokratike.

Koalicionet opozitare Serbia kundër Dhunës dhe Shpresa e akuzuan koalicionin e udhëhequr nga SNS-ja për vjedhje votash në zgjedhjet e 17 dhjetorit, ku u gjetën parregullsi të shumta nga misionet vëzhguese vendore dhe ndërkombëtare.

Autoritetet serbe vazhdimisht e kanë mohuar se ka pasur ndonjë parregullsi serioze në zgjedhje.

Vëzhguesit dhe partitë opozitare në zgjedhjet e 2 qershorit raportuan përsëri për parregullsi gjatë ditës.

Misioni joqeveritar vëzhgues CRTA tha se i ka bërë shtatë ankesa penale për dyshimet se ka pasur parregullsi në qendrat e votimit, duke thënë se anëtarët e saj kanë incizuar incidente të transportimit të organizuar të votuesve në qendrat e votimit dhe se ka pasur këmbim të votës për para.

Anëtarët e opozitës raportuan se qendrat e thirrjeve u përdorën nga SNS-ja për t’i blerë votuesit dhe se ato përmbajnë lista alternative.

Ana Bërnabiç, ish-kryeministre nga SNS-ja dhe tani kryetare e Kuvendit, i mohoi akuzat.

“Ne e kemi një qendër të thirrjeve. Ne kemi anëtarë, të cilët, në ditën e zgjedhjeve, i ftojnë anëtarët dhe simpatizantët e tjerë, anëtarët e familjeve, fqinjët dhe miqtë për të dalë për të votuar”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Policia në Novi Sad tha se disa oficerë policorë u sulmuan, edhe pse shtoi se “nuk ka pasur incidente serioze”.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 dhe u mbyllën në orën 20:00.

Zgjedhjet lokale u mbajtën edhe në Luginën e Preshevës, ku partitë shqiptare garuan me gjashtë lista zgjedhore, ndërsa në Bujanoc me katër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *