Matura Shtetërore në Maqedoni, pritet vendimi për kopjimin

Ndërsa në fund të kësaj jave, më 8 qershor, pritet të mbahet provimi i dytë (zgjedhor) ekstern, kolegjiumi i Qendrës shtetërore të provimeve pritet që të marrë vendimin për incidentin – kopjimin që ndodhi në provimin e parë të maturës. Nga QMSH po hetojnë nëse testatorët kanë toleruar kopjimin, ndërsa për provimin e ardhshëm një nga masat që mund të merren është edhe bllokimi i sinjaleve telefonike nëpër shkolla. Gjithashtu, është rënë dakord për një takim tw martwn nw Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ku do të diskutohen edhe masat e tjera për personat e përfshirë në procesin e provimit shtetëror. Drejtoresha e QSHP-së, Biljana Mihajllovska, sqaron se në grupin në Viber, që ka ekzistuar edhe para mbajtjes së provimit, ishte kryer test menjëherë kur ka filluar provimi në gjuhën amtare dhe letërsi, ndërsa linkun e QSHP-së ia dërguan nxënës dhe prindër. Nuk dihet se kush e ka fotografuar testin dhe kush e ka ndarë në grup sepse, tha ajo, nuk do të thotë se në grupin në Viber nxënësit i përdorin emrat e tyre, ndërsa QSHP, tha Mihajllovska, nuk ka kompetenca për të hulumtuar.

“Pasi që filloi provimi, morëm link se është ndarë testi në grupin në Viber. Do të thotë, pasi që nxënësit janë ulur në vend dhe i kanë marrë testet për ta filluar provimin, dikush prej nxënësve e ka fotografuar testin e zbrazët dhe e ka vendosur në grupin e Viberit me qëllim që dikush ta ndihmojë për t’iu përgjigjur pyetjeve. Më pas disa nxënës kanë ndarë mes vete mendimet për përgjigjen e saktë të mundshme”, tha Mihajllovska. Sipas saj, edhe pse përmendet numri prej shtatë mijë personash të përfshirë në grup, ai nuk është numri atyre që e kanë parë apo përdorur linkun sepse gjatë provimit nxënësit nuk i kanë pasur telefonat pranë vetes. Rezultatet preliminare nga dy provimet eksterne do të publikohen më së voni deri më 8 korrik, përkatësisht 30 ditë pas mbajtjes së provimit të fundit ekstern.

Maturantët të shtunën e mbajtën provimin e detyrueshëm ekstern, për të cilin ishin paraqitur 10 088 kandidatë për gjuhë dhe letërsi maqedonase, 4189 për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe 315 kandidatë për gjuhë dhe letërsi turke. Në mënyrë që të mundësohet kontroll më i mirë gjatë provimit dhe të pamundësohet kopjimi apo shpërndarja masive e përgjigjeve, siç ndodhi vitin e kaluar në grupin në aplikacionin viber në provimin e Gjuhës angleze, këtë vit shkollor maturantët, në vend se në klasa, për herë të parë u vendosën në hapësira më të mëdha në shkollë – holle, salla sportive shkollore apo ndonjë hapësirë më e madhe shkollore në të cilën ka kushte për mbajtje të provimit, me ç’rast ishin angazhuar disa testatorë.

Provimi i maturës shtetërore zbatohet që nga viti 2008, si detyrim ligjor dhe kusht për t’u regjistruar në një institucion të arsimit të lartë. Këtë vit në proces janë përfshirë 2000 mësues, si testues dhe rreth 250 vëzhgues nga institucionet shtetërore. (koha.mk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *