BUXHET REKORD PREJ 5.5 MILIARDË EURO! Qeveria miratoi buxhetin për 2024

Me buxhetin e propozuar për vitin 2024, shteti planifikon të marrë 1.2 miliard euro hua. Me këto para planifikohet mbulimi i deficitit, por edhe shlyerja e borxheve të vjetra. Në anën e shpenzimeve të buxhetit janë paratë për dy ciklet zgjedhore, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat shtetit do t’i kushtojnë 16 milionë euro në total

Anëmsha SHABANI

Shkup, 15 nëntor – Thesari kombëtar në vitin që do të shënohet nga dy procese zgjedhore, presidenciale dhe parlamentare, do të peshojë një rekord prej 5.5 miliardë eurosh, ose rreth 5 për qind më shumë se ai aktual për 2023. Deficiti është parashikuar në 545 milionë euro, ose 3.6 për qind e prodhimit të brendshëm bruto të planifikuar. Qeveria planifikon të mbledhë më shumë para, por edhe të shpenzojë më shumë. Për investime kapitale, por edhe për paga, pensione, ndihma sociale. Buxheti, në të cilin janë planifikuar 773 milionë euro për investime kapitale, sipas qeverisë, është zhvilluar dhe ofron baza solide për perspektivën e ekonomisë dhe një standard më të mirë për qytetarët. “Buxheti për vitin 2024 do të jetë një shtyllë e rimëkëmbjes ekonomike dhe më tej përshpejtimi i rritjes. Kontributin më të madh pritet ta japin investimet bruto nga shteti. Drejtuesi i rritjes do të jetë mbështetja e sektorit privat, rimëkëmbja e partnerëve tregtarë, Gjermanisë dhe BE-së. Norma e inflacionit pritet të stabilizohet në 3.6 për qind në kushtet e nivelit stabil të çmimeve të energjisë dhe ushqimeve”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Pritshmëritë e qeverisë janë pozitive, por dilema është se sa realiste janë ato. Para së gjithash, për shkak të mjedisit aktual ekonomik të brendshëm, i cili nuk është aspak i ndritshëm, rreziqet ende të pranishme në nivel global, por edhe procesi zgjedhor që do të dominojë gjatë vitit të ardhshëm. Ekspertët janë përgjithësisht të përmbajtur në vlerësimin nëse dhe sa optimist duhet të jetë në kushtet aktuale. Ata nuk janë të habitur që buxheti është rritur, por nuk janë të sigurt se parashikimet e të ardhurave janë vendosur realisht.

Nga ana tjetër profesori universitar Zoran Ivanovski theksoi se struktura e buxhetit është mjaft jofleksibil, para së gjithash për shkak të detyrimeve të mëdha në sferën sociale.

“Ne jemi ende larg nga sigurimi real i kapitalit dhe pensioneve të bazuara në treg, kështu që një shumë e madhe e buxhetit do të ndahet për pagesën e pensioneve në vitin e ardhshëm, diçka për të cilën çdo qeveri do të duhet të mendojë seriozisht në të ardhmen, sepse jo vetëm se e rëndon buxhetin, por e bën atë jo fleksibël, pra të paaftë për të përmbushur funksionet e tjera. Një pjesë e madhe do të shkojnë edhe për pagat e administratës publike, gjë që konfirmon edhe pamundësinë e shfrytëzimit më agresiv të buxhetit për rritje më dinamike ekonomike”, thekson Ivanovski.

Përveç pensioneve, vitin e ardhshëm do të duhen më shumë para për pagat në sektorin publik, 18 për qind më shumë se këtë vit. Qeveria pretendon se për shkak të zgjedhjeve nuk parashikohen punësime të reja për një periudhë të caktuar dhe nuk do të ketë rritje të mëtejshme të pagave të zyrtarëve, të cilat tashmë janë rritur me 78 për qind. Por ato që nuk do të ndalen janë investimet bruto, mbi të gjitha publike, pra projektet e mëdha infrastrukturore të financuara nga shteti që kanë nisur dhe do të vazhdojnë të zbatohen në periudhën parazgjedhore.

Ndërkaq lajmi se qeveria ka hartuar një buxhet që planifikon më shumë investime kapitale dhe mbështetje për sektorin privat, nuk është asgjë e re për biznesmenët. Sidomos kur thesari i shtetit paraqitet për një vit në të cilin do të mbahen zgjedhje, në këtë rast të dyfishta. Sipas disa prej tyre, do të jetë e re nëse ajo që është planifikuar realizohet realisht e plotë gjatë vitit buxhetor.

“Buxheti është plan shpenzimi dhe në të investimet kapitale janë gjithmonë të mëdha dhe kjo duket se është zhvillimore. Por kur vijmë në fund të vitit, realizimi është shumë më i ulët. Kjo është treguar vazhdimisht gjatë viteve. Kjo po ndodh dhe kam frikë se do të jetë kështu edhe vitin e ardhshëm, kur nuk jam i sigurt se do të realizohen të gjitha ato investime kapitale të paralajmëruara. Qeveria dëshiron të shesë një foto rozë, por realiteti është shumë ndryshe”, tha Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve, njëherit dhe biznesmen.

Ndër të tjera me buxhetin e propozuar për vitin 2024, shteti planifikon të marrë 1.2 miliardë euro hua. Me këto para planifikohet mbulimi i deficitit, por edhe shlyerja e borxheve të vjetra. Në anën e shpenzimeve të buxhetit janë paratë për dy ciklet zgjedhore, zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat shtetit do t’i kushtojnë 16 milionë euro në total. (koha.mk)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *