Krishtlindje pa shkëlqim në Betlehem! Kishat anulojnë festimet për shkak të luftës. Vetëm ceremoni fetare

Vendlindja e Jezu Krishtit do të jetë e zymtë këtë Krishtlindje! Nuk do të ketë drita, fishekzjarre dhe as Bredhin simbolik!

Edhe pse është njëri prej eventeve më të shumëpritura të vitit për to, Kishat në Betlehem kanë vendosur të anulojnë festimin e Krishtlindjeve këtë vit në shenjë proteste ndaj luftës në Gazë.

Kisha Ortodokse Greke, Armene dhe Katolike, janë pajtuar të mbajnë vetëm ceremoni fetare.

“Këtë vit do të jetë krejtësisht ndryshe. Do të mbajmë zi për të vrarët në Gazë. Këtu mbretëron një atmosferë pikëllimi të thellë dhe të gjitha kishat kanë vendosur të mbajnë vetëm shërbime fetare për Krishtlindje”, u shpreh zëdhënës i Patriarkanës Ortodokse greke, në Jeruzalem.

Në Bethlehem zhvillohet zakonisht një prej festimeve më të rëndësishme të Krishtlindjeve në botë.

Çdo vit qyteti ndriçohet me mijëra drita dhe zbukurohet me një nga pishat më të larta të Krishtlindjeve në Tokën e Shenjtë.

Por që kur ka nisur lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit më 7 tetor, kishat në Bethlehem kanë pranuar vetëm besimtarët vendas.

Turistët dhe pelegrinët janë larguar, çka ndikoi ndjeshëm tek ekonomia e qytetit, që mbështetet shumë tek turizmi. Tregtarët të ndryshëm u pajtuan me situatën e zymtë, por e konsiderojnë të tepruar që të mos ketë as bredh Krishtlindjesh, edhe pse sërish shprehen të trishtuar nga zhvillimet në Gaza.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *